Jarmolenko u largua, Dinamo e Kievit vlen 61 milionë euro

Jarmolenko u largua, Dinamo e Kievit vlen 61 milionë euro

0
SHPËRNDAJE

Në fundin e merkatos së verës, kur Barcelona bleu Dembele nga Borussia e Dortmundit, edhe Skënderbeu u gëzua. Pak ditë më përpara shorti i kishte vendosur korçarët përballë Dinamos së Kievit, të cilët shitën yllin e tyre, Andrij Jarmolenko përballë ofertës së parezistueshme me vlerë 25 milionë euro të gjermanëve.

 

Megjithë largimin e lojtarit më të mirë, klubi që ka fituar më tepër trofe në Ukrainë, mbetet një emër i madh. I frikshëm përsa i takon kontingjentit, me vlerën e skuadrës në merkato që përllogaritet në mbi 61 milionë euro.

 

Momentalisht lojtari më i shtrenjtë i Dinamos së Kievit është qendër-mbrojtësi kroat, Vida, kartoni i të cilit kushton 9 milionë euro, ndërsa një tjetër yll i eikipi cilësohet mesfushori i majtë paraguajian, Derlis Gonzalez, vlera e të cilit përllogaritet në 7 milionë euro.

 

13 herë kampionë të Ligës Sovietike dhe me 15 tituj të fituar në Premierligën ukrainase, Dinamo ka në kontingjent edhe disa lojtarë të tjerë të rënedësishëm. Nga mbrojtësi Kaçeridi, te kapiteni Sidorçuk dhe Garmash në mesfushë, për të vijuar me sulmuesin nga Kongo, Mbokani, i rikthyer nga huazimi te Hull City në Premierligën angleze.

 

Mungesa e vetme e ukrainasve për duelin me Skënderbeun do të jetë ajo e mbrojtësit polak, Tomazh Kenxhiora. 23-vjeçari që është një prej titullarëve të ekipit u prek nga një virozë në grumbullimin me Kombëtaren dhe ende nuk është rikuperuar.

Burimi: supersport.al