Skënderbeu 2 ditë në Kiev, me mendjen te futbolli

Skënderbeu 2 ditë në Kiev, me mendjen te futbolli

0
SHPËRNDAJE

Skënderbeu në Ukrainë, i përqendruar maksimalisht te futbolli. Korçarët do të debutojnë në këtë edicion të Europa League përballë Dinamos së Kievit, ndërsa është zbuluar edhe axhenda e klubit për këtë trasfertë. Edhe pse kryeqyteti ukrainas cilësohet si një prej qendrave më të rëndësishme kulturore të Europës Lindore, gjatë qëndrimit 48 orësh skuadra e drejtuar nga Ilir Daja do të qëndrojë e mbyllur në hotel.

Zbarkimi në Kiev është parashikuar rreth mesditës së të mërkurës, me udhëtimin me çarter nga Selaniku. Ekipi do të akomodohet në një prej hoteleve më të mirë të qytetit, ku gjatë ditës skuadra do të pushojë dhe zhvillojë analiza video, ndërsa pasdite janë parashikuar konferenca për shtyp e trajnerit dhe stërvitja zyrtare në stadiumin “Olimpiyskiy”. Kërkesat e Skënderbeut për ekipin vendas kanë qenë të zakonshme, nga topat, portat portative, tavolinat e masazheve, për të vijuar me akull, kafe dhe çaj. Megjithatë, nuk mungojnë edhe disa pretendime të veçanta: korçarët kanë kërkuar çokollatë të zezë dhe biskota të kripura për secilin nga anëtarët e delegacionit.

Përqendrimi te bardhekuqtë është maksimal, aq sa stafi teknik ka vendosur që paraditen e 14 Shtatorit, kohën e lirë skuadra të mos e kalojë duke vizituar vendet piktoreske të qytetit të Kievit, por të qëndrojë në hotel. Pasdite, dy orë përpara fillimit të ndeshjes, ekipi do të udhëtojë drejt stadiumit. Interesante edhe porosia e klubit për 10 pica në dhomat e zhveshjes menjëherë pas ndeshjes, ndërsa pasditen e së premtes, skuadra do të udhëtojë drejt Shqipërisë.

Burimi: supersport.al