Energjia, thatësira iku por la pas një faturë rreth 80 milion euro

Energjia, thatësira iku por la pas një faturë rreth 80 milion euro

0
SHPËRNDAJE

Tre muajt e fundit, situata e energjisë në vend u përkeqësua për shkak të thatësirës së madhe duke i detyruar kompanitë të rrisin ndjeshëm importet. Vetëm për shtatorin janë kontraktuar 27 milion euro energji.

Shqipëria prej kohësh është në një situatë që veçanërisht në verë nuk arrin të plotësojë sasitë e kërkuara të energjisë. Por vera e sivjetme me thatësirë dhe temperatura të larta, ndonëse jo diçka e paparashikuar ka patur një faturë të rëndë për kompanitë publike që operojnë në tregun e energjisë. Çmimet kanë qenë vështirësisht të negociueshme dhe kanë patur një rritje të vazhdueshme. Pasoja ka qenë direkte në financat e KESH dhe OSHEE, të cilat janë përkeqësuar, deri në atë masë saqë e detyruan qeverinë në muajin korrik që të ndryshonte buxhetin dhe të caktonte 30 milion euro për importe energjie në raste emergjence. Por rënia e temperaturave dhe fillimi i reshjeve e kanë kthyer optimizmin në energjetikë edhe për shkak të rënies së konsumit, ndonëse tashmë vapa që iku e ka lënë pas një faturë afro 80 milion euro.

Importet e OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, edhe pse ka kryer pesë raunde negocimi me tregtuesit, nuk ka arritur të sigurojë të gjithë energjinë që  kërkonte të blinte për muajin shtator. Sipas njoftimit zyrtar të OSHEE, kompania arriti të blejë 271,620 MËh, nga sasia e kërkuar prej 288,600MËh, ose 94% e totalit të kërkuar. Kjo sasi i ka kushtuar OSHEE në total rreth 20 milionë euro. Burimet nga OSHEE pohuan se negociatat ishin të vështira, po ashtu, si rrallëherë u bë kërkesa në tre lote, teksa operatori po haset me domosdoshmërinë për të blerë energji orë pas ore. U negociua me 10 subjekte nga të cilët 9 u pranuan dhe megjithëse si asnjëherë tjetër negociatat vazhduan me 5 raunde nuk u arrit të sigurohej e gjithë sasia. Sasia e mbetur, pohojnë burimet e OSHEE do t’i kërkohet KESH. OSHEE ka blerë me fondet e veta rreth 50 milionë energji për korrikun dhe gushtin, ndërsa në shtator në lojë hyri dhe KESH, pasi u arrit të zhbllokohej një pjesë e kredisë, (22.4 milionë euro), që Banka Botërore ka dhënë për rimëkëmbjen e energjisë dhe që mund të përdorej në raste emergjence. KESH bleu pak ditë më parë 7.2 milionë euro energji për shtatorin. Për periudhën korrik-shtator, janë blerë gjithsej gati 80 milionë euro energji.

Importet e KESH

KESH njoftoi se ka përfunduar procesi i blerjes së energjisë elektrike për muajin shtator, për të cilën u përdor një pjesë e kredisë së dhënë nga Banka Botërore. Korporata njoftoi se ka blerë gjithsej 115,200 MËh sasi të energjisë elektrike ose kapacitetin 160 MË me një çmim/njësi mesatar prej 62.33 Euro/MËh. Shuma totale e shpenzuar është 7.18 milionë euro. Banka Botërore zhbllokoi së fundmi një pjesë të kredisë për rimëkëmbjen e energjisë, prej 22.4 milionë euro, që mund të përdorej për nevoja emergjence, çka i mundësoi KESH-it të hapë procedurat për blerjen e energjisë për muajin shtator, teksa si rrjedhojë e thatësirës, korporata e ka të pamundur të prodhojë energji nga HEC-et e veta.

Çmimet e energjisë

Sipas të dhënave zyrtare të muajit korrik çmimet e energjisë kanë patur një rritje të ndjeshme e të menjëhershme. Importet në kushtet e emergjencës, të pa planifikuara në avancë bënë që çmimet të ishin edhe më të larta se ata të bursave referencë, duke rezultuar 10 euro më të larta. Konkretisht në korrik 1 megavat është importuar me çmimin 68.2 euro,  ndërkohë që një javë më parë, sasia e energjisë së importuar për korrikun rezultoi me një çmim 57.2 euro/MË. Burime nga OSHEE thanë se çmimi i energjisë është rrjedhojë e kërkesës dhe ofertës në treg dhe pasqyron kostot totale të sigurimit të energjisë. Konkretisht kostot e kapaciteteve ishin 2.3 Eu/MËh për 24 orë ose rreth 4Eu/MËh për 14 orët që do të lëvrohet energjia. Duke shtuar shpenzimet operative (1Eu), vlerën në kohë të pagesës prej 90 ditë pas ditës së fundit të lëvrimit si dhe një marzh normal fitimi prej 3% (2EU), çmimi prej 68.2Eu është mëse i justifikuar për situatën emergjente dhe të vështirë energjetikë, sqarojnë burimet e OSHEE. Ata shtojnë se në situata të tilla në vitin 2012 energjia është blerë me mbi 100Eu/MËh.

Tenderat “online”

Sipas një vendimi që Enti Rregullator i Energjisë  kishte marrë në qershor të vitit të kaluar, OSHEE duhet të aplikonte blerjet online të energjisë me qëllim uljen e kostove vitin e kaluar, por Operatori i Shpërndarjes nuk ka mundur t’i respektojë këto afate duke aplikuar ankandet me negocim për blerjen e energjisë. Afati i fundit që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duhet të ketë bërë gati një platformë për blerjen e energjisë online brenda datës 30 shtator të këtij viti. Sipas të dhënave të fundit OSHEE-ja po bën kolaudimet finale për zhvillimin e tenderave me platformën “online”. Për tetorin, sasia e energjisë që do të importohet do të jetë mbi 20 milionë euro. “Kjo i hap mundësi kompanisë që me këtë platformë të tërheqë më shumë ofertues, të ketë më shumë oferta edhe nga tregjet ndërkombëtare, dhe i krijon mundësinë Shqipërisë që aktualisht ne të kemi një platformë elektronike, që në të ardhmen mund të jetë pjesë integrale e tregjeve ndërkombëtare”, tha Elton Sevrani, drejtues në kompani. Në platformën “online” OSHEE-ja njofton blerjen e energjisë dhe kompanitë që janë të regjistruara, secila në llogari më vete, bëjnë ofertat në kohë reale. Ekonomizimi i blerjes së energjisë bëhet i domosdoshëm në këtë periudhë kur kriza e prodhimit të energjisë ka rritur shpenzimet për import. Sasitë e mëdha të prokurimeve të energjisë jashtë vendit dhe në situatë emergjence kanë bërë që çmimet e importit të energjisë të jenë disa raste më të larta se në bursat rajonale.

Financat

Burimet nga OSHEE pohojnë se operatori i shpërndarjes ka likuiditetin e nevojshëm, pasi kompania ka arkëtime prej rreth 5 miliardë lekë në muaj (36 mln euro), por problemi është që gjithçka po përdoret për fondet e energjisë, ndërkohë që kompania duhet të bëjë edhe investime. Por, për sa kohë që nuk do të ketë prurje shiu, operatorët e tregut do të jenë të detyruar të blejnë energji. Situata do të shihet muaj pas muaji dhe OSHEE ende vazhdon të planifikojë që do paguajë energji me fondet e veta, përsa kohë që nuk është përcaktuar, si do i marrë fondet e rezervës buxhetore, apo do të përdorë overdraft të garantuar nga qeveria. Pozitive është që ditët e fundit ngarkesa është ulur, për shkak të rënies së vapës në vend, çka ka reduktuar konsumin, duke i dhënë pak frymëmarrje operatorit të energjisë. Por, krahasuar me shtatë mujorin financat kanë patur një përkeqësim të dukshëm. Sipas treguesve zyrtarë të OSHEE për periudhën Janar-Korrik 2017, OSHEE rriti me 4.2% arkëtimet nga faturat e energjisë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke mbledhur 37.1 miliardë lekë. Ecuri pozitive pati edhe në treguesin e reduktimit të nivelit të borxhit të keq i cili në fund të Korrikut 2017 ka zbritur në 49.7 miliardë lekë (pa kamatat).  Më parë, ky borxh i krijuar në periudhën 2007-2014 arrinte në 67.8 miliardë lekë.

Borxhet e ndërsjella

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti disa problematika në marrëdhëniet financiare mes kompanive publike të energjisë, sidomos në raport me sistemin e detyrimeve që i kanë njëra-tjetrës.

Në një inspektim të posaçëm për këtë qëllim, KLSH vërejti se rezulton që shoqëritë publike të sektorit energjetik janë ende larg realizimit të objektivave për përmirësimin e situatës financiare. KLSH thotë kriza financiare që po kalojnë shoqëritë publike të sektorit energjetik, ka vështirësuar aktivitetin normal të secilës prej tyre, pasi ato kanë marrëdhënie të ndërvarura sipas modelit të tregut të energjisë. Sipas KLSH, detyrimi total i KESH, OSHEE dhe OST, deri më datën 20 shtator 2016, është 80.6 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 mld lekë (370 mln lek). Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata është 11.3 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj OST për transmetim energjie, shërbime dhe kredi është 8.2 mld lekë. Detyrimi i OST ndaj KESH për energji, shërbime dhe kredi, është 10.2 mld lekë.

Burimi: mapo.al