Pas 5 vitesh, jep dorëheqjen sekretari Ndërkombëtar i LSI-së: Pse largohem

Pas 5 vitesh, jep dorëheqjen sekretari Ndërkombëtar i LSI-së: Pse largohem

0
SHPËRNDAJE

Sekretari Ndërkombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni ka dhënë dorëheqjen sot nga kjo detyrë duke sqaruar me anë të një statusi në profilin e tij në “Facebook” edhe arsyet e këtij vendimi.

Gjoni thotë se ky është një hap i natyrshëm që i hap rrugë një brezi tjetër, duke prezantuar në këtë post deputeten Kejdi Mehmetaj e cila si nënkryetare e LSI-së do të marrë stafetën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

STATUSI I PLOTË

Të nderuar miq gazetarë e kolegë,

Ju bëj me dije se sot i kam paraqitur Kryetares së LSI znj. Monika Kryemadhi, dorëheqjen time nga pozicioni i Sekretarit Ndërkombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ishte një hap i natyrshëm, i vonuar dhe që synon kalimin e këtij sektori të rëndësishëm në duart e një brezi tjetër.

Kam patur kënaqësinë ta mbaj këtë detyrë dhe përgjegjësi që prej shkurtit të vitit 2012 dhe sot pas 5 vjetësh ndjehem krenar për atë çka kemi arritur në drejtim të vendosjes së një standardi koherent, profesional dhe evropian të praktikës së marrëdhënieve ndërkombëtare në raport me forcat e tjera politike në vend.

I kam uruar njëkohësisht suksese znj. Kejdi Mehmetaj, e cila në cilësinë e Nënkryetares së LSI merr stafetën e marrëdhënieve ndërkombëtare të partisë, si dhe kam uruar znj. Kryemadhi për drejtimin e mëtejshëm të LSI-së, duke i dëshiruar sukses në reformimin e ridimensionimin e LSI-së në përballje me sfidat e ardhshme politike në Shqipëri.

Dua të falënderoj të gjithë kolegët e Trupit Diplomatik në Shqipëri, Ambasadorë e punonjës të institucioneve të huaja, kolegët e mi në Parlamentin Evropian, veçanërisht në Grupin Socialdemokrat, të gjithë kolegët e Komisionit Evropian dhe të Shërbimit të Jashtëm të BE-së në Bruksel, dhe patjetër kolegët e dashur amerikanë të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të tjera në Washington DC – për bashkëpunimin e ngushtë, të sinqertë e profesional që kemi pasur gjatë këtyre 5 viteve të fundit.
Një falënderim të veçantë për të gjithë kolegët e nderuar të medias, të cilët kanë qenë gjithnjë të gatshëm të pasqyrojnë angazhimet dhe aktivitetet tona.

Marrëdhëniet ndërkombëtare mbeten fusha ime e preferuar politike, ndërkohë që unë personalisht mbetem në pritje të sfidave të reja në të ardhmen e afërt.

Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë miqtë virtualë që nuk rreshtin kurrë së ndjekuri angazhimin tim politik…

Burimi: tiranaobserver.al