Ambasadori i Japonisë: Kisha imazh negativ për Shqipërinë, por kur erdha ndryshova...

Ambasadori i Japonisë: Kisha imazh negativ për Shqipërinë, por kur erdha ndryshova mendim

0
SHPËRNDAJE

Ambasadori i Japonisë në vendin tonë, Makato Ito, ka deklaruar sot se para se të vinte me mision në Shqipëri, kishte pasur një imazh negativ për vendin tonë lidhur me krimin e organizuar dhe trafiqet, porse tani do të dëshironte që Policia shqiptare të bashkëpunonte fort me Policinë japoneze pse jo, dhe në nivel global.

Gjatë një takimi që ka zhvilluar me kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çakon, ambasadori Ito tha: “Ju falënderoj për pritjen, gadishmërinë dhe predispozicionin për të vendosur ura bashkëpunimi mes dy Policive të vendeve tona. Për bizneset tona që operojnë apo kanë ndërmend të operojnë në Shqipëri, aspekti i sigurisë është shumë i rëndësishëm.

Para se të vija këtu kisha një imazh negativ për Shqipërinë në lidhje me krimin e organizuar, me trafikimin e qenieve njerëzore, me krimin në përgjithësi etj, por në momentin që erdha këtu e ndryshova komplet këtë mendim. Është një vend i sigurt dhe njerëzit janë miqësorë dhe është një vend i qetë, i pastër, jo i errët siç e kisha imagjinuar më parë”, tha ambasadori japonez.

Ambasadori Ito në përfundim të takimit, ka ftuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për një vizitë në Japoni, vizitë e cila do shërbejë për të vendosur kontakte e bashkëpunim me Policinë japoneze.

Burimi: tiranaobserver.al