Lejuan ndërtim të paligjshëm, në pranga 2 specialistë të IMT, hetohen policët

Lejuan ndërtim të paligjshëm, në pranga 2 specialistë të IMT, hetohen policët

0
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar Ndërtimi në kuadër të të cilit është arrestuar një shtetas për ndërtim pa leje si dhe janë vënë në pranga 2 specialistë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë, për “Shpërdorim detyre”

“Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndërtimeve pa leje, Sektori për Krimin Ekonomiko-Financiar në D.V.P. Tiranë në bashkëpunim me Shërbimin e Çështjeve dhe Ankesave (SH.Ç.B.A), Drejtorinë e Standarteve Profesionale pranë Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit “NDËRTIMI” bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: J.Gj, 47 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë; A. D, 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Me detyrë specialist pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë dhe E. S, 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, pasi më datë 11.08.2017, në vendin e quajtur rruga. “Xhanfize Keko”, pallati ML, shtetasi J. Gj, ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente në një sipërfaqe ndërtimi (garazhi) prej 530 m2.

Sa më sipër nga ana e Inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar duke sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të shtetasve (banorëve të pallatit), në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Gjithashtu në lidhje me këtë vepër penale nga SH.Ç.B.A janë kryer veprime proceduriale penale mbi dyshimet për implikim të punonjësve të policisë pranë Komisariatit nr.4, Tiranë, konkretisht punonjësit e policisë me iniciale Xh.M, Y.H, F.D dhe E.H, të cilët në përmbushje të detyrave funksionale të tyre janë mjaftuar vetëm me komunikimin verbal të specialistëve të IMT.

Gjithashtu ndaj punonjësve të Policisë ka nisur dhe procedimi disiplinor nga Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mos veprim”, sqaron policia.

Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre.

12 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)

Burimi: gazeta-shqip.com