Bashkia e Tiranës nis aksionin për bllokimin e karburanteve, Mazniku: Bizneset të...

Bashkia e Tiranës nis aksionin për bllokimin e karburanteve, Mazniku: Bizneset të aplikojnë për licencë

0
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin për mbylljen e pikave të karburantit të cilat e ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku ndoqi nga afër aksionin për mbylljen e një prej pikave të karburantit pranë zonës së Pallatit me Shigjeta, ndërkohë që puna ka vijuar me bllokimin e dy pikave të tjera, një në Sauk dhe një tjetër pranë digës së Liqenit Artificial.

Nënkryetari Mazniku shprehu vendosmërinë për të mbyllur të gjitha ato pika të cilat nuk respektojnë kriteret ligjore. Mazniku u shpreh se nuk mund të vijojë më kjo situatë ku bizneset të cilat shesin karburante të vijojnë të funksionojnë pa paguar detyrimet kundrejt shtetit.

“Sipas vendimi të Këshillit të Ministrave, karburantet në qytetin e Tiranës duhet të pajisen me një licencë nga Bashkia e Tiranës dhe të paguajnë detyrimet e tyre për funksionimin në këtë qytet. Deri tani në Bashkinë e Tiranës funksionojnë 173 karburante të cilët pothuajse asnjëri nuk ka nisur procesin e aplikimeve për t’u pajisur me këtë licencë duke mos kryer kështu detyrimet ndaj qytetit. Në qytet në të cilin ne po kërkojmë që çdo qytetar, familje, person, biznes i vogël të paguajë detyrimin ndaj qytetit, nuk mundet të vijojmë ku bizneset e mëdha dhe bizneset që shesin karburante të funksionojnë pa paguar detyrime ndaj qytetit. Këto janë të gjitha të ardhura të cilat qyteti që më pas shpenzohen për çerdhe, kopshte, lulishte, parqe”, tha Mazniku.

Nënkryetari Mazniku deklaroi se pikave të tregtimit të lëndëve djegëse u është dhënë kohë e mjaftueshme që të pajisen me dokumentacionin e kërkuar.

“Çështja kryesore pse kemi ardhur në këtë pikë, është sepse në diskutime të vazhdueshme me Shoqatën e Hidrokarbureve, por edhe me kompanitë e ndryshme, ne kemi kërkuar që t’i japin atyre në mënyrë të vijueshme kohën që të bëjnë procesin e aplikimit. Ka pasur një diskutim gjyqësor para rreth 1 viti, për ata që mund ta mbajnë mend, i cili tashmë ka mbaruar, VKM është rinovuar në vlerat e reja, tani nuk ka më arsye përse kjo çështje të vijojë”, u shpreh ai.

Manziku u bëri thirrje të gjitha pikave të shitjes së karburanteve që të aplikojnë për licencim dhe të paguajnë detyrimet.

“Nuk ka më asnjë arsye pse të vijojnë bizneset që të mos aplikojnë për marrjen e licencës dhe pagesës së këtyre detyrimeve. Ky është një aksion që do të vijojë në ditët në vijim dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha bizneseve, të gjitha karburanteve në qytet të vijnë pranë bashkisë të aplikojnë për licencim, të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm, të marrin licencën, të paguajnë detyrimet dhe më pas të vijojnë punën në mënyrë normale, por nuk mund të vijojmë në këtë situate”, u shpreh ai.

Duke u ndalur në numrin e pikave të karburantit të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet, që në jo pak raste kanë krijuar probleme edhe me sigurinë, Mazniku tha se ato do të shqyrtohen rast pas rasti edhe nga ana urbanistike.

“Daljet janë një ndër çështjet e tjera, të cilat nuk kanë lidhje vetëm me licencimin, kanë të bëjë me lejet që karburantet duhet të kenë për të funksionuar në qytet dhe për të pasur akses në hyrje-dalje. Ato do të gjykohen nga pikëvështrimi urbanistik rast pas rasti dhe mundësisë që kanë rrugët për të lejuar aksesin, për të hyrë apo për të dalë. Ajo është një çështje e cila është kryesisht urbanistike dhe nuk ka të bëjë rrënjësisht me çështjen e licencës”, nënvizoi nënkryetari i Bashkisë.

Institucionet e Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim edhe me organet e tjera shtetërore do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme dhe do të bllokojnë të gjithë këto aktivitete tregtare, deri në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës dhe shlyerjen e detyrimeve të taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore. Në Tiranë numërohen 173 karburante të cilët kanë probleme me sigurinë në zona urbane, burim aksidentesh dhe cilësi që lë për të dëshiruar.

Burimi: mapo.al