Lena: Sheriff ka pika të dobëta, synojmë kualifikimin

Lena: Sheriff ka pika të dobëta, synojmë kualifikimin

0
SHPËRNDAJE

Kukësi duhet të frymëzohet nga loja e zhvilluar në transfertë për të kërkuar përmbysjen ndaj Sherifit të Tiraspolit. Kampionët tanë bënë një paraqitje shumë të mirë në Moldavi, ku u thyen nga një penallti në pjesën e dytë. Nijaz Lena ishte një nga më të mirët në fushën e lojës, duke ndihmuar ekipin sa në fazën mbrojtëse edhe në atë sulmuese. 31-vjecari e vlerëson pozitive lojën e skuadrës edhe pse është i pakënaqur me rezultatin.

“Mund ta konsideroj pozitive paraqitjen në fushë por jo rezultatin e lojës. Do kërkojmë gjithcka në fushën tonë, pasi tani e njohim mjë shumë kundërshtarin. Me një pregatitje të mirë mund të kualifikohemi.”

Frika dhe ndrojtja e një skuadre debutuese tashmë ka kaluar, me Kukësin që sheh përpara për të impresionuar sërish në arenën europiane. Lena është i bindur tek aftësitë e grupit teksa shpreson që në Elbasan Arena të ketë edhe ndihmën e publikut për të synuar kualifikimin.

“Ne dëshmuam në transfertë që luajmë si të barabartë me Sherifin dhe këtë duhet ta tregojmë në Elbasan, ku synojmë të kthejmë rezultatin. Duhet të jemi të kujdesshëm të mos pësojmë pasi na duhet vetëm një gol për të shkuar në shtesë dhe më pas në penallti. Sigurisht që na duhen tifozët pasi pa ata nuk mund të motivohemi.”

Ndeshja e parë vlejti shumë edhe për të njohur kundërshtarin, që tregoi se ka limite në fushë. Pavarësisht se është një ekip me buxhet shumë të lartë ekonomik, Sherifi i Tiraspolit ka pikat e veta të dobëta.

“Sherifi ka pikat e dobëta sidomos në mbrojtje.”

Nëse Kukësi kualifikohet, në raundin pasardhës mundësitë janë që të ndeshen me Karabagun e Ansi Agollit, pasi azerët kanë fituar 5-0 ndeshjen e parë ndaj gjeorgjanëve të Samtredia. Ky duel i mundshëm shihet si një tjetër motiv për të dhënë maksimumin dhe për të synuar kualifikimin.

“Mendojmë së pari për Sherifin e Tiraspolit, pastaj të mendojmë për Agollin. Sigurisht që është një kënaqësi të ndeshesh me ekipin e kapitenit të kombëtares, por duhet të kalojmë më parë këtë sfidë.”

Burimi: supersport.al