Zona ekonomike, Civici: Paradhoma për në BE, vetëm një mjet

Zona ekonomike, Civici: Paradhoma për në BE, vetëm një mjet

0
SHPËRNDAJE

Për Ardian Civicin, në samitin e Triestes Bashkimi Europian përcolli një mesazh të qartë për vendet e Ballkanit perëndimor.

“Që integrimi i vendeve të Ballkanit do kalojë në dy faza. E para është një integrim ekonomik i këtyre vendeve me njëri-tjetrin para se të bëhen gati. Kjo është eksperiencë e vetë BE-së, e vendeve skandinave, apo vendeve të tjera të botës që ka dhënë rezultate pozitive”,- deklaron Civici.

Civici thotë se projekti për zonën e përbashkët ekonomike është një zhvillim pozitiv që do nxisë ekonomitë e vendeve të rajonit. Por Arben Malaj thotë se fokusi i shqipërisë duhet të jetë integrimi në BE.

“Që çdo bashkëpunim në nivel ballkanas duhet të jetë në funksion të përshpejtimit të integrimit europian dhe jo si një qëllim në vetëvete”,- thotë Malaj.

Por a e përshpejton zona e përbashkët ekonomike integrimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian? Në këtë pikë ekspertët duket se ndahen.

“Mendoj se është paradhoma ose hapi i parë drejt integrimit europian dhe konvergjencës ekonomike në BE”,- thotë Civici.

“Ideja që të bashkohemi njëherë brenda vetëvetes dhe më pas brenda Europës kam idenë se mund të krijojë vështirësi dhe ajo vartësia pozitive, që e kërkon komisioneri Hahn, mund të pengohet nga zhvillime brenda vendeve anëtare të Ballkanit perëndimor”,- thotë Malaj.

Të mërkurën udhëheqësit e vendeve të Ballkanit perëndimor nënshkruan në Trieste të Italisë marrëveshjen për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike, e cila parashikon krijimin e një unioni doganor dhe atij të transportit./TCh/

Burimi: mapo.al