Finalja me Kamzën, edhe Apeli “rrëzon” Besëlidhjen

Finalja me Kamzën, edhe Apeli “rrëzon” Besëlidhjen

0
SHPËRNDAJE

Pas Disiplinës, edhe Komisioni i Apelit rrëzon kërkesën e Besëlidhjes, për të fituar në tavolinë ndeshjen e shtyrë me Kamzën. Në vendimin e publikuar këtë të enjte, ku shqyrtoi edhe pretendimin e klubit lezhjan, komisioni i Federatës Shqiptare të Futbollit konfirmoi se kërkesa nuk është e bazuar në Rregulloren e Lojës.

Pas refuzimit të dytë, tashmë Besëlidhja nuk ka shumë alternativa. Klubi që gjatë këtij sezoni ishte surpriza e madhe e Kupës së Shqipërisë, duke luajtur deri në gjysmëfinale, ose duhet të pranojë të zbresë në fushë në datën që pritet të caktohet, ose ka alternativën ta vazhdojë çështjen në instancën më të lart të drejtësisë sportive.

Bëhet fjalë për Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Ankimim të cilin drejtuesit e Besëlidhjes e kanë cilësuar si një alternativë të mundshme, në rast se pretendimi i tyre do të hidhej poshtë nga komisionet e FSHF-së. Kamza-Besëllidhja, që është edhe finalja e Grupit A në Kategorinë e Parë, nga ku do të përcaktohet edhe skuadra që sezonin e ardhshëm do të ngjitet në elitë së bashku me Lushnjen, ishte parashikuar të luhej fundjavën e kaluar.

Zhvillimi i ndeshjes ishte i pamundur, për shkak se vetëm pak orë përpara startit, policia njoftoi se nuk mund të garantonte sigurinë dhe mbarëvajtjen e takimit. Në pritje të ndeshjes në fushë, dueli mbylli dy aktet e para në zyra. Një sfidë rreth së cilës ka ende paqartësi se si do të vazhdojë, duke lënë pezull verdiktin për kampionin e Grupit A në Kategorinë e Parë.

Burimi: supersport.al