Video skandali, reagon Kukësi

Video skandali, reagon Kukësi

0
SHPËRNDAJE

Skuadra e Kukësit reagon lidhur me video skandalin e publikuar në emisionin FIKS FARE, ja reagimi i klubit:

Kanë kaluar orë dhe ditë që nga fillimi i sulmit kundër klubit të Kukësit me qëllim përbaltjen dhe përfshirjen tonë në çështje që nuk bëjnë pjesë në mentalitetin e klubit që kemi ndërtuar. Dikush na sulmoi për historinë jo të madhe të klubit e dikush pati guxim të bënte edhe borderonë e skuadrës tonë. Madje përfshinë në të menaxherë që nuk kanë lidhje me klubin, të cilët thjesht kanë BASHKËPUNUAR, ashtu siç bashkëpunojnë dhe mund të bashkëpunojnë edhe shumë të tjerë në afrimin e lojtarëve në ekipin tonë. E dikush tjetër pati guxim të fliste në emër të klubit!

Na sulmuan për historinë, por jemi krenarë që në historinë tonë të re dhe të suksesshme emri i ekipit të Kukësit nuk është përlyer dhe nuk mund të përlyhet në çështje të tilla që janë një turp për futbollin shqiptar. Jemi krenarë që në historinë që kemi ndërtuar kemi qenë një lokomotivë e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ekipi jonë ka qenë i pari që ka futur mentalitetin e kalimit të tureve, duke i treguar të gjithëve që duke punuar me kokën ulur, me vullnet dhe PASTËR, përfitimet e çdo lloji mund të fitohen edhe duke luajtur futboll brenda fushës, jo jashtë saj! Prandaj, ne jemi krenarë për historinë tonë, e cila është një dritare e bukur edhe në atë të futbollit shqiptar, pa njolla, as nga UEFA e as nga institucionet e tjera.

Për sa i përket videos, në deklaratën tonë të parë dolëm dhe thamë se menaxheri Drini Çaushi nuk është pjesë e klubit të Kukësit. Sqaruam dhe qetësuam opinionin publik dhe folëm për tifozët tanë më shumë se sa për ato media që presin me padurim dhe shpikin çdo lloj instrumenti për t’u vërsulur dhe sulmuar ekipin e Kukësit. Nuk e besuan, e ironizuan, por në fund edhe vetë deklarata e Federatës Shqiptare të Futbollit e vërtetoi fjalën tonë që Drini Çaushi nuk është pjesë e klubit të Kukësit!

E pamë videon e publikuar dhe dënojmë me forcë ngjarje të tilla të shëmtuara që nuk i bëjnë nder futbollit shqiptar. Në të njëjtën kohë, dënojmë me forcë çdo person që ndërmerr veprime të tilla personale me interesa të caktuara dhe përfshinë në to klubin e Kukësit. E PAPRANUESHME! Inkurajojmë organet kompetente të kryejnë  punën dhe do të jemi në shërbim të tyre për zbardhjen e kësaj çështje. Askush dhe asnjë person nuk mund të përbaltë klubin e Kukësit, aq më pak persona që nuk kanë lidhje dhe janë pjesë e klubit tonë.

Në të njëjtën kohë nuk mund të qëndrojmë pa përmendur edhe ecurinë pozitive të ekipit, e cila ka errësuar sytë e shumë “dashamirësve”, sidomos tani që jemi më afër se kurrë fitimit të titullit. Iu bëjmë thirrje të qëndrojnë të qetë, ashtu siç jemi edhe ne, pasi skuadra e Kukësit me në krye stafin teknik vazhdon punën pa u ndalur dhe me më shumë dëshirë. Fjalë dhe tymnaja të tilla nuk ndikojnë dhe nuk do të ndikojnë në ecurinë tonë, pavarësisht dëshirës së madhe të URITHËVE që punojnë natën dhe në errësisë për të dëmtuar klubin e Kukësit!

Ne jemi me kokën lart dhe do të dalim më të fortë edhe pas kësaj tentative të radhës për të na ulur!

Burimi: supersport.al