Ekonomia po i reziston krizës politike, BSH: Treguesit janë në nivele më...

Ekonomia po i reziston krizës politike, BSH: Treguesit janë në nivele më të larta se vitin e kaluar

0
SHPËRNDAJE

Edhe pse logjikisht treguesit e konsumit dhe investimeve duhet të kishin pësuar frenim prej krizës politike në vend dhe vitit zgjedhor në të cilin jemi, zhvillimet në realitet tregojnë krejt të kundërtën. Banka e Shqipërisë, lajmëroi se zhvillimet e tremujorit të parë2017 janë pozitive dhe flasin për ritme rritjeje të ngjashme me vitin 2016.

Banka e Shqipërise njoftoi dje se treguesit e besimit konsumator dhe të biznesit janë stabilizuar në nivele më të larta se në fund të vitit të kaluar. “Tregues të tjerë sasiorë dhe cilësorë nga vrojtimet e besimit sinjalizojnë për vijim të ciklit rritës të investimeve në tremujorin e parë të vitit 2017. Sinjale pozitive vijnë kryesisht nga rritja e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, përmirësimi i gjendjes financiare të bizneseve dhe rritja e importit të makinerive dhe pajisjeve. Gjithashtu, kredia për qëllime investimi regjistroi ndryshime vjetore pozitive për muajt janar dhe shkurt 2017” beri me dije Banka.

Statistikat zyrtare të deri tanishme tregojnë se zhvillimet në ekonomi nuk janë ndikuar nga kriza politike në vend, ku parlamenti nuk funksionon, ndërsa zgjedhjet rrezikojnë të zhvillohen pa opozitën. Në rrethana normale një vit zgjedhor edhe pa krizë politike në sfond i step investimet dhe konsumin, por së paku zhvillimet e deritanishme të këtij viti ende nuk kanë dhënë sinjale, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Kriza politike ende ka mbetur në rrafshin teorik dhe ende e pamaterializuar në treguesit zyrtare, teksa vendet të tjera në Rajon, si Turqia dhe Maqedonia janëpenalizuar rëndë nga  krizat e brendshme.

Ekonomia e Maqedonisë regjistroi ritëm më të ulët rritjeje në vitin 2016, në 2.8% nga 3.5% vitin e kaluar,  ndikuar nga rënia e investimeve. Kriza politike në Maqedoni duket të ketë ndikuar klimën e biznesit. Në tremujorin e katërt, tkurrja e investimeve thelloi edhe më tepër kontributin negativ.

Ekonomia e Turqisë u ngadalësua ndjeshëm si pasojë e tensioneve të brendshme politike. Ekonomia e Turqisë vlerësohet të jetë rritur me 2.9% në vitin 2016, ndjeshëm më ulët se rritja prej 6.1% vitin e kaluar./Monitor

Burimi: mapo.al