Rilicencimi i karburanteve, paralajmërohet rritja e çmimit me 6 lekë

Rilicencimi i karburanteve, paralajmërohet rritja e çmimit me 6 lekë

0
SHPËRNDAJE

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit ka rivendosur tarifën e rilicencimit të stacioneve të shitjes së karburanteve në 3 milionë lekë për Tiranën dhe 1 milionë lekë për rrethet.

Ky vendim erdhi pasi në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë si antikushtetues tarifat e mëparshme prej 5 milionë lekë për Tiranën dhe 2 milionë lekë për rrethet.

Kompanitë e hidrokarbureve e kishin kundërshtuar me forcë rivendosjen e kësaj tarife kaq të lartë, së pari me argumentin se ajo është rrëzuar njëherë nga Gjykata Kushtetuese dhe së dyti koncepti i tarifës është për të mbuluar shpenzimet administrative dhe jo për të vjelë të ardhura.

Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohuan se sipas llogaritjeve të para, efekti në çmim do të jetë 6 lekë më litër.

“Kjo është një taksë e fshehur dhe do të reflektohet në çmim”, thonë burimet nga shoqata, që nuk duket se e ka më vullnetin për ta çuar sërish në Kushtetuese, por do mjaftohen me reflektimin në çmimin e naftës dhe benzinës.

Sipas Shoqatës, është e paprecedentë që të injorohet në këtë mënyrë pushteti gjyqësor, që e ka quajtur antikushtetuese këtë tarifë, pasi shkel parimet e proporcionalitetit dhe të dyti të vendosen tarifa që janë shumëfish më të larta se shërbimi që jepen, kur koncepti i tarifës është të mbulojë shpenzimet administrative që duhen për ofrimin e këtij shërbimi.

Shoqata thotë se në takimet që kanë pasur, qeveria nuk ka argumentuar dot në mënyrë proporcionale se çfarë shpenzon më tepër, që në mënyrë proporcionale të arsyetojë rritjen.

Sipas tyre, paguesi fundor i kësaj tarife do të jetë konsumatori, përmes çmimit final të karburantit.

Burimi: mapo.al