NBA, marshojnë Houston, Warriors dhe Washington

NBA, marshojnë Houston, Warriors dhe Washington

0
SHPËRNDAJE

Nuk ka surpriza në ndeshjet e mbrëmjes në NBA ku Golden State, Houston dhe Washington regjistrojnë fitoret e dyta në përballjet play off. Ndeshja më spektakolare që tërhoqi vëmendjen më të madhe ishte padyshim ajo mes Houston dhe Oklahomas me përplasjen e dy yjeve të këtij sezoni Harden-Westbrook ku teksanët dominuan 115-111 duke e çuar në 2-0 avantazhin ndaj City Thunder. Russell Westbrook shkëlqeu por kjo nuk mjaftoi për të thyer “Raketat” që zhvlerësuan një tjetër “Triple Double” të Russ i cili e mbylli takimin me 51 pikë, 10 ribaunde dhe 13 asiste. Në krahun tjetër, Harden u mbështet te ndihma e skuadrës së tij për të shënuar 35 pikë vendimtare në suksesin e dytë të shtëpisë, duke i siguruar Houstonit një avantazh të konsiderueshëm. Gjithsesi, diferencën në këtë ndeshje e bëri Eric Gordon me 11 pikë të realizuara në periodën e fundit, ndërsa  Beverley shtoi 15 të tjera. Në këtë mënyrë, Westbrook po reflekton atë çfarë i ka ndodhur skuadrës së tij gjatë gjithë sezonit pasi Oklahoma ka nevojë për një mrekulli pasi i vetëm ylli i kësaj skuadre nuk a mundësi të bëjë shumë për të vazhduar rrugën drejt fazës tjetër.

Nuk ndryshoi asgjë as në Washington ku kryeqytetasit thyen edhe në ndeshjen e dytë Atlanta Hawks në shifrat 109-101. Dyshja Wall-Beal vulosi suksesin e dytë në po kaq ndeshje për Wizards. Miqtë nga Georgia e rritën ritmin gjatë pjesës së dytë të ndeshjes duke kryesuar me 4 pikë në fund të periodës së tretë por Henings dhe më pas Wall dhe Beal firmosën 20 pikë në total për të mos i lënë rrugë shpëtimi Atlantas që tashmë duket të kthejë disavantazhin në tre ndeshjet e radhës që do të zhvillohen në Georgia.

Më e lehtë rezultoi sfida për Golden State që edhe pa Kevin Durant u imponua 101-81 ndaj Portland Trail Blazzers. Ndeshja u vendos që në periodën e parë kur nënkampionët në fuqi kryesonin 33-17, duke eklipsuar dyshen Lillard-McCollum që në total regjistruan 23 pikë, shumë pak për skuadrën nga Oregoni që vuajti superioritetin e Golden State ku pikët erdhën nga e gjithë skuadra. McGee shënoi 15 pikë, ndërsa Clark shtoi 13 të tjera. Nuk pati impenjim maksimal as nga Splash-Brothers, Curry-Thompson që në total shënuan 35 pikë duke kursyer energjitë për fazën finale të sezonit.

Burimi: supersport.al