A do e pranojë KQZ kërkesën e PS-LSI për shtyrjen e afatit...

A do e pranojë KQZ kërkesën e PS-LSI për shtyrjen e afatit të koalicionit? Zbulohet projektvendimi

0
SHPËRNDAJE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë sot në shqyrtim kërkesën e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të shtyrë afatin e regjistrimit të koalicioneve në zgjedhje, afat që ka skaduar në datën 19 Prill.
Vendimi i KQZ-së pritet me interes, kjo edhe për faktin se Partia Demokratike nga ana e saj, po me një letër drejtuar këtij institucioni ka kërkuar të mos pranohet kjo kërkesë e partive qeverisëse.
“Afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë qartësisht të lidhura me datën e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht shtyrja eventuale e tyre është pazgjidhshmërisht e lidhur me shtyrjen e vetë datës së zgjedhjeve, kompetencë kjo e fundit jo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por vetëm e ligjit zgjedhor, i cili mund të ndryshohet nga partitë politike përmes një konsensusi gjithëpërfshirës në Kuvend”, thuhet në letrën e PD-së drejtuar KQZ.
Ndërkohë “BalkanWeb” ka mundur të sigurojë sot një kopje të projektvendimit që pritet të miratojë sot KQZ lidhur me kërkesën e PS-LSI ku bie në sy fakti se edhe pse mbledhja sapo ka nisur, ky institucion ende nuk e ka marrë një vendim paraprak lidhur me këtë çështje.
Ndryshe nga precedentët e kaluar, kur para çdo vendimmarrje të KQZ-së, zyra juridike e përgatit paraprakisht vendimin që do të merret, kësaj here, siç konstatohet edhe në kopjen e projektaktit, pjesa e vendimit është lënë bosh.
Pritet që në orët në vijim të mësohet nëse KQZ do ta miratojë apo jo kërkesën e PS-LSI.

Burimi: tiranaobserver.al