Si të ruhemi nga kimikatet e përdorura në prodhimin e ushqimeve

Si të ruhemi nga kimikatet e përdorura në prodhimin e ushqimeve

0
SHPËRNDAJE

Blerina Bombaj, dietologe

Ushqimet bio – çfarë janë?

Që një ushqim të quhet bio duhet të plotësojë një listë të gjatë kriteresh dhe rregullash në mënyrë strikte. Disa nga këto kritere thelbësore janë: përdorimi i farave natyrale pa ndërhyrje gjenetike, mbjellja në tokë të pastër larg tokave ku përdoren kimikate, ushqimi vetëm me pleh organik dhe mbrojtja e tyre vetëm me preparate organike. Lista përbëhet nga afër 100 kushte, të cilat kontrollohen nëpërmjet institucioneve përkatëse nga të cilat edhe certifikohen. Me pak fjalë, që një produkt të jetë “bio”, duhet të jetë i certifikuar i tillë dhe të mbartë vulën e certifikimit në paketimin e tij. Një ushqim nuk është bio vetëm e vetëm pse dikush e thotë kështu dhe e beson!

Që kur kanë filluar pesticidet të përdoren?

Për herë të parë ato i ka zbuluar gjermani Liebeg në 1800-n por Amerika nuk e përqafoi teorinë e tij. Vetëm në 1939, zvicerani Myller ka zbuluar substancën e njohur me emrin DDT – e cila ishte një insekticid i fuqishëm. Në fillim u përdorur​ nga ushtria amerikane për të kontrolluar malarjen dhe tifon, më vonë u përhap edhe në të mbjellat e fermerëve. Mylleri u vlerësua me çmimin Nobel për zbulimin e DDT-së. Tashmë ky preparat ndalohet rreptësisht pasi është i padegradueshëm, mbetet në tokë dhe në trup dhe nuk shpërbëhet.

Pesticidet mund të shkaktojnë te njeriu:

  • Çrregullime të përqendrimit te fëmijët
  • Defekte të embrionit
  • Infertilitet
  • Kancer
  • Ato akumulohen në indin dhjamor dhe çrregullojnë funksionin tonë hormonal.

Çfarë shkaktojnë pesticidet në natyrë?

  • Shkatërrojnë biodiversitetin
  • Vrasin bletët, faktorin kyç në vazhdimin e jetës së shumë bimëve
  • Insektet krijojnë rezistencë dhe doza duhet rritur
  • Vetëm 80% e preparatit të përdorur shkon te bima, pjesa tjetër përhapet në ajër dhe ujëra

Si të ulni ekspozimin ndaj pesticideve

  1. Blini produkte vendi, të stinës, mundësisht pasi keni pyetur nëse përdoren apo jo pesticide. Shqipëria është e vogël, është e lehtë të njiheni me fermerët.
  2. Lani frutat dhe perimet mirë, me ujë të bollshëm, të rrjedhshëm, me uthull ose sodë buke.
  3. Eliminoni dhjamin nga mishi dhe hiqni lëkurën nga pula dhe peshku pasi ta keni gatuar.
  4. Hiqini lëkurën e atyre ushqimeve më të kontaminuara, mollëve, dardhëve dhe pjeshkëve.
  5. Konsumoni larmi ushqimesh, kështu do të jeni më pak të rrezikuar nga mbidoza e një pesticidi apo një grupi pesticidesh të caktuar.
  6. Mbillni produktet tuaja.

Produktet që perthithin më shumë pesticide:

  • mollët
  • selino
  • rrush
  • luleshtrydhet
  • pjeshkët
  • qershitë
  • spinaqi
  • mashurkat
  • patatet
  • kungujt
  • kastravecët
  • domatet
  • dardhat

Ushqime që përthithin më pak pesticide

  • avokado
  • banane
  • agrume
  • kivi
  • ananas
  • qepë
  • misër të ëmbël
  • lulelakër
  • brokoli
  • lakër
  • patëllxhan
  • asparag
  • bizele
  • mango

Së fundmi

Edhe nëse fruta perimet përmbajnë pesticide, nuk këshillohet evitimi i tyre pasi përfitimet nga konsumi i këtyre bimëve janë më të shumta se humbjet për shkak të përdorimit të kimikateve artificiale. Por, sa herë të mundeni, konsumoni ushqime organike dhe kini parasysh këshillat e mësipërme.

 

Burimi: shendeti.com.al