Deputeti i LSI “shkel” urdhrin e partisë: “Do ta marrim Kyeministrinë”

Deputeti i LSI “shkel” urdhrin e partisë: “Do ta marrim Kyeministrinë”

0
SHPËRNDAJE

Deputeti i LSI-së, Flamur Çela gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Oshtimës në Vlorë, “ka shkelur” urdhrin e pak ditëve më parë të zëvendëskryetarit të partisë, Petrit Vasilit, i cili iu ndaloi deputetëve dhe ministrave të LSI-së të artikulonin në publik togfjalëshin: “Ilir Meta kryeministër”

LSI tha ai, është partia që i bën ëndrrat realitet dhe ka shumë shanse, që të jetë shumë shpejt në krye të ekzekutivit. “Nëse duam që t’i vëmë gjërat përpara në këtë fshat duhet që më përpara të marrim pushtetin, ta konsolidojmë atë. Forca politike ku unë bëj pjesë është ajo forcë që ka gjasa të marrë ekzekutivin, të marrë Kryeministrin. Dhe të marrësh Kryeministrin do të thotë të jesh më afër të gjithë atyre mundësive që të ofron pushteti”, ka deklaruar nga Vlora deputeti më i ri i LSI-së.

Pak ditë më parë ishte Petrit Vasili, në cilësinë e zv/kryetarit të LSI-së që iu ka shpërndarë të gjithë ministrave dhe deputetëve të kësaj partie një direktivë, thelbi i së cilës, është heqja dorë nga deklaratat e tipit “Meta President” apo “Meta Kryeministër”. Referuar tekstit të plotë të SMS-së, që ka mbërritur në numrat e celularëve të deputetëve dhe ministrave të LSI-së, Vasili tërheq vëmendjen në dy mesazhet kryesore që sipas tij, duhet të përcillen në publik nga zyrtarët më të lartë të LSI-së.

“Mesazhet tuaja duhet të përqëndrohen në:

  1. Dialog për reformën zgjedhore për të mundësuar zgjedhje me standard dhe të pakontestuara si dhe zbatim me këmbëngulje të reformës në drejtësi.
  2. “Një shans për të gjithë”, secilit sipas fushës së profesionit të tyre”, shkruan Vasili në tekstin e SMS-së.

Ky urdhër vjen pasi dy ministra të kësaj partie, Klajda Gjosha dhe Edmond Panariti e shprehën hapur në publik dëshirën e tyre që Ilir Meta të jetë kryeministër i vendit.

 

Burimi: tiranaobserver.al