Batutat e De Biasit përpara Italisë

Batutat e De Biasit përpara Italisë

0
SHPËRNDAJE

Sfida me Italinë

Është bukur që rishihemi pas kaq shumë kohësh. Jemi këtu për të përgatitur këtë ndeshje të rëndësishme; për ne, për ju, për të gjithë. Për t’i dhënë vazhdimësi punës që po bëjmë në këto kualifikuese. Në këto momente, Kombëtarja nuk po përjeton momentin më të mirë përsa i takon skualifikimeve, dëmtimeve dhe faktit që disa lojtarë po luajnë pak. Megjithatë, besoj se emri i kundërshtarit dhe dëshira e futbollistëve për të treguar vlerat e tyre ndaj disa klubeve apo trajnerëve që nuk po i japin hapësira lojtarëve tanë në kampionate të ndryshme, mund të jenë shtysë për t’i motivuar edhe më tepër djemtë tanë.

 

Gjendja e skuadrës

Ndoshta dikush ka patur më pak mundësi për të luajtur, ndërsa të tjerë kanë luajtur më tepër nga sa duhet dhe ky është rasti i Hysajt. Ndoshta duhet t’i jepet mundësia që të marrë pak frymë. Këto janë vështirësitë.

Me mjekun tonë, Stesina, vlerësuam rezonancën magnetike të Mavraj dhe e kuptuan që nuk ka mundësi të rikuperohet. Djaloshi ka ende dhimbje dhe vendosëm që ai të mos vinte, sepse Mërgimi është nga ata persona që nëse do të mundej luan edhe i çalë.

E kuptova për Gashin dhe Hykën dhe sa është diferenca në kilometra… Por, në këto momente ai është një lojtar që unë nuk e zgjedh për të qenë pjesë e ekipit tonë.

 

Eurofia në skuadër

Mendoj se deklaratat e presidentit janë të ndryshme. Nuk ka dyshim që pas Europianit ishim shumë euforikë dhe nuk ka asnjë dyshim. Por, kur pëson dy humbje si ato me Spanjën dhe Izraelin, eurofia ikën menjëherë. Mendoj se skuadra e kupton që nuk do të shkojë askund, nëse nuk jep në fushë atë që ka paraqitur në ndeshjet ku u kualifikua në Kampionatin Europian. Forca jonë është të jemi skuadër dhe të shfaqim më vendosmëri se të tjerët.

 

Kontrata

Nuk jam unë ai që duhet të rinovojë kontratën. Zakonisht punëdhënësi thërret punonjësin dhe i thotë: ‘Eja se je një punëtor i mirë dhe do të rinovoj kontratën!’, ose i jep një goditje.

Profesionaliteti, impenjimi dhe dëshira për të ndryshuar ecurinë tonë nuk mungon. Kjo është kryesorja. Ndihem mirë me veten dhe me skuadrën. Uroj që kjo të mjaftojë për të mbyllur ndeshjet që na mbeten deri në fund të kualifikueseve.

 

Zgjedhjet taktike

Në pikëpamjen strategjike, idetë i kemi përgatitur prej disa ditësh. Të gjithë planin e punës, mënyrën se si do të luajmë, çfarë sjellje taktike do të kemi. I kemi të gjitha të planifikuara, por duhet të shohim me lojtarët edhe se cilat situata mund të shfrytëzojmë. Përsa i takon zgjedhjeve në formacion nuk do të jap detaje, kemi konferenca të tjera për të bërë. Do të jemi edhe në Palermo përpara ndeshjes, ku mund të më pyesni sërish edhe përgjigjen t’ua shty për ditën tjetër. Do të shohim cili është më mirë, më i qetë, kush është mësuar të përballet me situata specifike apo edhe si është psikologjikisht lojtari ynë. Nuk po flas vetëm për portierin, por për futbollistët në përgjithësi.

Surprizë Italisë

Shpresojmë… Me siguri që nuk është aspak e lehtë, surprizat janë të bukura sepse vijnë papritmas. Ne po përgatitemi për të bërë më të mirën; kjo nuk ka dyshim. Megjithatë, në fund verdiktin e jep fusha. Po përgatitemi të luajmë si skuadër e vërtetë dhe t’i krijojmë vështirësi Italisë. Ata kanë një makinë plot kualitet, ndërsa ne një tjetër makinë. Të shohim nëse këto dy makina do të qëndrojnë barazim apo se cila do të ecë përpara.

 

Sfidë speciale

Do të isha shumë i lumtur nëse do të fitonim, edhe pse e kam të qartë që është shumë e vështirë. Aktualisht punoj për Federatën Shqiptare, kisha nderin të merrja nënshtetësinë shqiptare. Më kemi treguar mirënjohje dhe vlerësim.

Nuk ka munguar asnjëherë ndjesia si shqiptar i vërtetë, duke qëndruar përjetë italian. Megjithatë ndihem shqiptar dhe jam krenar që jam pjesë e këtij kombi.

Do ta këndoj himnin e Italisë? Përse, a ka ndonjë ndryshim. Do t’i këndoj të dy himnet dhe kështu mund të bëjmë një miks. Besoj se ky është një detaj të cilin mund ta anashkalojmë.

 

Zërat mediatikë

Shpesh ato që thuhen janë dezinformime. De Biasi nuk do të shkojë askund… dhe askush nuk e ka pyetur. Gazetat shkruajnë, por unë nuk mund të vras gazetarin që e ka shkruar, sepse nuk është e vërtetë.

Nuk e kam lexuar… nuk e kam lexuar dhe nuk e besoj. Një trajner si Ventura nuk do ta thoshte kurrë që është i bindur për fitoren ndaj Shqipërisë.

Është një batutë që nuk ekziston, nuk e ka thënë ai.

 

Kategoria Superiore

Kampionati vendas ka bërë hapa të dukshëm përpara, është rritur shumë gjatë këtyre viteve që ndodhem këtu dhe ka ndryshuar në mënyrë progresive.

Gjithmonë kam shfaqur vëmendje të veçantë, disa futbollistë po i ndjekim me vazhdimësi dhe po paraqiten mirë.

Nuk i humbas zhvillimet në kampionatin shqiptar, që madje këtë vit është i luftuar në mënyrë të pabesueshme.

Burimi: supersport.al