Tregu “mbytet” me naftë vendi, importet e karburanteve bien me 38 për...

Tregu “mbytet” me naftë vendi, importet e karburanteve bien me 38 për qind në janar

0
SHPËRNDAJE

Importet e karburanteve shënuan rënie pikiatë në muajin janar të vitit 2017. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në janar u importuan vetëm 21,899 tonë karburante me një rënie 38 për qind në krahasim me janarin e vitit 2016.

Burimet nga tregu pohojnë se shkak për këtë rënie është bërë vënia në funksion e rafinerisë së përpunimit të naftës, ARMO. Uzina  që u rikthye në punë në fund të vitit të kaluar duket se ka përmbushur gati 30 për qind të kërkesës vendase për naftë. Vetëm Kastrati rezulton të ketë importuar naftë në janar, ndërsa operatorët e tjerë janë furnizuar në tregun e brendshëm.

Sipas të dhënave që ka nxjerrë më herët Ministria e Energjetikës, nëse ARMO vendos në punë të gjithë kapacitetin përpunues, atëherë nafta e gatshme për konsumin do të jetë 375 mijë tonë në vit, duke përmbushur gati 60% të konsumit në vend, i cili vlerësohet rreth 550-600 mijë tonë në vit.

Në shtator të vitit të kaluar, Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt britanikë Virgin.

Në të njëjtën periudhë, prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me Jonian Refining dhe Trading për t’i shitur asaj deri në 65 për qind të prodhimit të naftës bruto te IRTC.

ARMO, përveçse plotëson një pjesë të madhe të nevojave për naftë të tregut vendas, gjithashtu është furnitor i madh i këtij produkti në Kosovë dhe në Shqipëri.  Ky fenomen ndodhi edhe në vitin 2015, kur kompanitë TPD Drilling dhe Deveron shfrytëzuan nëpërmjet qirasë rafinerinë. Nafta e vendit, gjatë 2015-s plotësoi gati me 25 për qind të nevojave të konsumit vendas, teksa ishte produkti më i eksportuar në Kosovë.

Por pavarësisht këtij rendimenti, qeveria shqiptare ka vështirësi të mbledhë akcizën e prodhimit vendas të naftës, në krahasim me naftën e importit. Në vitin 2015, të ardhurat nga akciza shënuan rënie dyshifrore kryesisht nga ky fakt.

Një tjetër shqetësim është cilësia e naftës për të cilën nuk ka informacion nga autoritetet nëse është e një niveli të pranueshëm për t’u përdorur nga automjetet./Monitor

Burimi: mapo.al