Përurohet qendra e parë e shërbimeve “one-stop-shop” e Ujësjellësit të Tiranë

Përurohet qendra e parë e shërbimeve “one-stop-shop” e Ujësjellësit të Tiranë

0
SHPËRNDAJE

Veliaj: “Shërbim më dinjitoz për qytetarët; kemi përmirësuar furnizimin me ujë në Tiranë”

Bashkia e Tiranës ka hapur qendrën e re të shërbimeve për Ujësjellës-Kanalizime, sipas modelit one-stop-shop, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj klientit. Për t’i dhënë fund burokracive dhe vonesave, UKT do të ofrojë për të gjithë qytetarët e Tiranës një qasje të re ndaj cilësisë së shërbimit, jo vetëm sa i përket furnizimit me ujë, por edhe lehtësimit të procedurave. Në përurimin e qendrës së parë të shërbimit one-stop-shop të UKT në njësinë Nr. 2, ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Redi Molla.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh entuziast për këtë projekt të ri të Bashkisë së Tiranës, i cili do të përmirësojë më tej shërbimin ndaj qytetarëve. “Jam shumë entuziast për këtë lajm të mirë për konsumatorët e Ujësjellësit, sidomos për banorët e Njësisë Nr. 2. Është një risi fantastike sepse e afron shërbimin e Ujësjellësit tek qytetarët. Jemi ndoshta i vetmi popull që futemi në radhë dhe shtyhemi që t’i paguajmë shtetit atë që i detyrohemi dhe më në fund sot i kthejmë dinjitetin këtij shërbimi, kemi një shërbim shumë dinjitoz, shumë i ngjashëm me një bankë apo kompani celulare”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë garantoi se shumë shpejt qendrat e reja të shërbimit ndaj qytetarëve do të shtrihen në të gjitha njësitë e kryeqytetit. “Më vjen mirë që fillojmë me një pikë të parë këtu te Shkolla e Baletit, ndërkohë që po vijojmë shpejt me tre pika, brenda muajit, në gjithë Tiranën, për të mbyllur vitin me një pikë në çdo njësi. Kjo do të thotë që fluksi i qytetarëve që paraqitej në drejtorinë qendrore do të pjesëtohet me 11, çka do të sjellë më pak radhë, por edhe një shërbim shumë më dinjitoz”, tha ai.

Veliaj falenderoi qytetarët për ndërgjegjësimin për lidhjen e kontratave të reja me Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, e cila do të pasohet edhe me rritje të investimeve. “Falë këtij shërbimi, sot kemi 26 mijë kontrata më shumë me Ujësjellësin, jo se këta janë njerëz të rinj, këto kontrata këtu kanë qenë, por uji ose vidhej ose në mënyrë informale merrej nga rrjeti. Pra, për sa kohë që njerëzit na janë përgjigjur dhe po formalizohen, është më se e drejtë që edhe ne të përgjigjemi dhe të çojmë në një nivel shumë më profesional shërbimin që ofrojmë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se qytetarëve të Tiranës sot u ofrohet një shërbim më i lartë me një çmim më të ulët. Ai garantoi për rritjen e mëtejshme të investimeve dhe përmirësim të furnizimit me ujë të pijshëm. “Ky ka qenë një vit fantastik për UKT, kemi hapur 105 kantiere pune. Sot jo vetëm kemi shtuar shërbimin e furnizimit me ujë në disa pjesë të Tiranës, por për 80 mijë banorë ky shërbim është 24 orë, kurse për rreth 880 mijë të tjerë ky shërbim është dyfishuar nga mesatarja 7 orë në ditë në 14 orë në ditë. E gjithë kjo ofrohet me çmimin më të ulët të ujit”, tha Veliaj, duke nënvizuar se Bashkia e Tiranës do të avancojë me shkëputjen përfundimtare të Ujësjellësit të Vorës dhe të Kamzës.

“Që UKT të mos mbartë më borxhe, detyrime apo edhe vjedhje të ujit të pijshëm që ndodh në njësitë e tjera bashkiake, për të shkuar drejt vendimit të qeverisë, një bashki-një ujësjellës. Vetëm atëherë kur të kemi “kopsitur” këtë situatë, mund të vijojmë me investime akoma më masive në Ujësjellës-Kanalizimeve”, tha ai. Kreu i Bashkisë kërkoi prej qytetarëve që për çdo problematikë në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm apo kur konstatojnë dëmtim të rrjetit të ujësjellësit, të telefonojnë në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 4488 ose tek aplikacioni “Tirana Ime”.

Administratori i Njësisë Bashkiake Nr. 2,  Elez Gjoza vlerësoi angazhimin e kryebashkiakut Veliaj dhe të Bashkisë së Tiranës për transformimin e të gjitha lagjeve në kryeqytet. “Mund të them që Bashkia e Tiranës dhe njësia bashkiake është në drejtimin e duhur”, tha Gjoza. “PIKA UKT” është e para në qytet, por brenda vitit këto qendra shërbimi do të shtrihen edhe në zonat e tjera, duke u garantuar të gjithë qytetarëve më shumë aksesueshmëri dhe profesionalizëm. Për pak ditë, do të hapen dhe “PIKA UKT” e Njësisë Nr. 1 të Ujësjellësit si dhe ajo e Drejtorisë Rajonale, duke ofruar shërbim për zonat e tyre. Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë në trajtimin e zonave të ish-komunave, që i janë bashkuar Tiranës së madhe vetëm një vit më parë. “PIKA UKT” do të shërbejë si hallkë ndërlidhëse mes institucionit dhe qytetarit, me një shërbim të kualifikuar, ku gjithkush do të gjejë përgjigjen dhe do të përfitojë shërbimin që meriton në zonën  e tij të banimit.

Burimi: mapo.al