I dënuari me 23 vite burg: Babai më falsifikoi firmën, kërkoj rigjykim

I dënuari me 23 vite burg: Babai më falsifikoi firmën, kërkoj rigjykim

0
SHPËRNDAJE

Sokol Çobo


Foto ilustruese

Një i dënuar me 23 vite burg për vrasje ka akuzuar babanë se i ka falsifikuar firmën. Fatjon K., është kapur në Itali dhe është ekstraduar në Shqipëri në gusht të vitit 2013. Ai akuzohet për vrasje me dashje ndaj Sokol P. dhe plagosjen e një shtetasi tjetër, ngjarje kjo e ndodhur më datë 30 qershor 1999 gjatë një grindje tek tregu, pranë farmacisë Nr. 10, në Tiranë.

Pas ekstradimit, Fatjoni ka kërkuar rigjykimin e çështjes. Sipas vendimit që disponon gazeta “Shqip”, gjykata e Tiranës ka vendosur rrëzimin e kërkesës si të pabazuar në ligj e në prova. Kundër këtij vendimi Fatjon K. ka ushtruar të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit, dhe gjatë shqyrtimit të seancave në Gjykatën e Apelit, ka ardhur në dijeni të ekzistencës së një prokure me anë të të cilit ai autorizonte avokat Arben H. për ta përfaqësuar në të gjitha shkallët e gjykimit. Në lidhje me këtë prokurë, ankuesi kallëzues pretendon se nuk është nënshkruar prej tij dhe pretendon falsitetin e saj, dhe për më tepër shton se i ati i tij Naim K. pranon faktin se e ka nënshkruar ai në emër të të birit pasi e kishin këshilluar si të vetmen zgjidhje për mbrojtjen e të birit.

Ai ka kërkuar privatisht kryerjen e ekspertimit grafik të nënshkrimit në emër të tij në prokurën e posaçme, e cila pretendohet e falsifikuar, ku eksperti privat me vendimin Nr. 06.02, datë 15.02.2016 ka arritur në konkluzionin se shkrimi emër mbiemër dhe firma poshtë tij në emër të Fatjon K. nuk është nënshkruar nga ai, por është nënshkruar nga shtetasi Naim K.

Pas studimit të materialit kallëzues nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë arrihet në konkluzionin se ndjekja penale nuk mund të fillojë pasi vepra penale është parashkruar.

13 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)

Burimi: gazeta-shqip.com