Europa League, finale prestigji Sevilla-Liverpool

Europa League, finale prestigji Sevilla-Liverpool

0
SHPËRNDAJE

Sevilla-Liverpool, një finale prestigji që zbret në fushën e blertë 7 trofe të formatit UEFA. Europa League nuk mund të ëndërronte një ndeshje më të fortë në mbrëmjen e Baselit. Në “St. Jakob Park” mbrëmja e së mërkurës do të ndizet nga magjia e futbollit europian ku “The Reds” kërkojnë të rikthehen lavdishëm triumfatorë në kontinent, ndërsa andaluzianët synojnë historinë. Liverpooli e ka fituar Kupën UEFA në vitet 1973, 1976 dhe 2001, ndërsa në finalet europiane, anglezët numërojnë 8 fitore në 11 ndeshje. Është Jurgen Klopp ai që duhet të thyejë mallkimin e finaleve pasi trajneri gjerman ka humbur në 4 finalet e fundit, ndërsa në krahun tjetër, Unai Emery do të mbështetet te njeriu më në formë i skuadrës së tij, francezi Kevin Gameiro, i cili mori përsipër trashëgiminë e kolumbianit Carlos Bacca, duke shkëlqyer në sezonin e gjatë europian më 14 gola. Bazuar në statistika, Liverpooli është favorit pasi ka fituar të gjitha finalet ndaj skuadrave spanjolle, ndërsa gjatë këtij sezoni në Europa Leage është mundur vetëm në një rast. Në grupin e Klopp, goli vjen nga çdo repart pasi janë 11 lojtarët që kanë arritur ta prekin rrjetën në Europë, më shumë se çdo skuadër tjetër. Gjithsesi, spanjollët mund të bazohen në supremacinë e skuadrave nga Gadishulli Iberik që kanë fituar 7 nga 12 kupat e fundit të Europa League. Sevilla-Liverpool është përballja e parë e gjithë historisë së futbollit, ndërsa për njërën prej tyre do të jetë hera e parë që do të largohet me disfatë nga finalja e këtij trofeu. Në Basel, Liverpool rikthehet në një finale të madhe europiane që pas disfatës ndaj Milanit në Athinë në vitin 2007.

Burimi: supersport.al