Qeveria akordon 18 miliardë lekë ushqime për policët e ushtarakët

Qeveria akordon 18 miliardë lekë ushqime për policët e ushtarakët

0
SHPËRNDAJE

Tenderi. Ministria e Brendshme bën prokurim vetëm për RENEA-n dhe FNSH-në për vakt ushqimor. Sindikata e Policisë ka paditur qeverinë për ushqimin e policëve të thjeshtë

Qeveria ka përgatitur letrat për një nga tenderët me vlerë të lartë financiare, i cili parashikohet të zhvillohet në qershor të këtij viti. Bëhet fjalë për tenderin e ushqimeve të ushtarakëve, punonjësve të policisë dhe disa spitaleve. Janë 18 miliardë lekë të vjetra që janë dhënë për këtë tender, ndërkohë që autoriteti prokurues do të jetë Ministria e Brendshme. Gazeta “Shqip” ka siguruar dokumentet, ku parashikohet se do të ketë vakt ushqimor vetëm për RENEA-n dhe FNSH-në nga policia, duke lënë në harresë mijëra policë të tjerë. Në fakt, Sindikata e Policisë ka paditur në Gjykatën Kushtetuese qeverinë shqiptare, duke i kërkuar me të drejtë një fakt ushqimor për 10 mijë punonjësit e policisë. Deri më tani, kjo padi nuk është shqyrtuar, ndërkohë që qeveria ka nxituar për të bërë tenderin për kategoritë e tjera.

18 miliardë lekë
Sipas dokumenteve që disponon gazeta “Shqip”, Ministria e Brendshme ka hapur procedurën e kapur mbi kufirin e lartë monetar. “Objekti i prokurimit të kontratës është ‘shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi’ (Katering). Fondi limit është 1 822 592 504 lekë pa TVSH, të vënë në dispozicion nga buxheti i Shtetit, kjo e ndarë në disa lote”, thuhet në këto dokumente.
Loti i parë është shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për njësinë e lëvizshme territoriale të Kufirit dhe Migracionit në Rradhimë, Vlorë, ku fondi do të jetë 18 265 632 lekë për periudhën korrik 2016, deri në dhjetor 2019. Loti i dytë është ushqimi për repartin RENEA në Tiranë, ku fondi është 20.020.958 lekë për periudhën 1 korrik deri më 31 dhjetor 2017. Më pas do të ketë shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Komisariatin e Policisë NSH Tiranë.
Qeveria ka përcaktuar edhe shërbim gatimi dhe shpërndarje për
Qendrën Spitalore Xh. Kongoli, Elbasan, për spitalin ‘Mbretëresha Geraldinë’ në Tiranë, për spitalin rajonal në Durrës dhe Lezhë. Gjithashtu, një lot do të jetë për ushqimin për Institutin e Veçantë Shëndetësor të Burgosurve, si dhe për Akademinë e Sigurisë. Ndërkohë, do të ketë shpërndarje ushqimesh edhe për repartet në Vaqar, Korçë, Gjirokastër, Kukës, Burrel, Tiranë, Zall-Herr, Bunavi, Rinas, Kuçovë, Farkë, Plepa Durrës, Kepi i Palit, Durrës, Pashaliman, për repartet 1001, 1002, 1003, 1004, 1020 në Tiranë, Babrru, Zall- Herr 2, Vau Dejës, Poshnjë Berat, Rrapi Treshit, Tiranë, Sauk Tiranë dhe Rrapi Treshit & KDS Tiranë.
Mësohet se data e zhvillimit të tenderit do të bëhet më 17 qershor 2016 në orën 11:00, në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Drejtorinë e Prokurimeve të Përqendruara.

Padia e Sindikatës
Sindikata e Punonjësve të Policisë ka kohë që kërkon të respektohet vendimi për trajtimin me një vakt ushqim, por qeveria kishte heshtur përballë këtij problemi. Sindikata e ka hedhur në gjyq moszbatimin e vendimit, duke kërkuar që punonjësve të policisë t’u njihet borxhi i akumuluar nga qeveria për trajtimin me një vakt ushqim dhe të detyrojë shtetin që të paguajë këto para.
Sindikata kishte bërë disa ankesa te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, tek Avokati i Popullit dhe tek autoritetet e tjera, por që nuk është gjetur një zgjidhje mbi këtë shqetësim. Në këto kushte, sindikata i është drejtuar gjykatës, me qëllim që t’i njihet kjo e drejtë e mohuar në mënyrë arbitrare.
Sindikata e Policisë është e interesuar për realizimin e zbatimit të akteve që disiplinojnë të drejtën e punonjësve të policisë për trajtimin me një vakt ushqimor pa pagesë. Për këtë ekziston një bazë e plotë juridike, sipas së cilës punonjësit e policisë përfitojnë të drejtën e trajtimit me ushqim për një vakt “drekë” pa pagesë. Në strukturat që nuk kanë infrastrukturën e duhur për ushqim të gatuar, duhen kompensuar për ditët efektive të punës në vlerë (lekë) sipas vlerës së racionit bazë ushqimor për vaktin “drekë” të miratuar edhe nga ministri i Brendshëm.
Aktualisht, me përjashtim të Forcave Speciale, atyre të Ndërhyrjes së shpejtë, si dhe Qendra e Formimit Policor në Sauk, të gjithë punonjësit e policisë në shkallë vendi, që nga viti 2008 nuk janë trajtuar deri më sot, sipas akteve të sipërpërmendura. Sipas përllogaritjeve për një punonjës, shuma për trajtimin ushqimor arrin 7000 (shtatë mijë lekë) në muaj. Numri i punonjësve që nuk trajtohen është mijëra vetë. Aktualisht, sipas Sindikatës së Policisë, qeveria i detyrohet të paktën 420 mijë lekë çdo punonjësi të policisë që nuk trajtohen sipas VKM-së. Në padinë e dërguar në gjykatë, sindikata shprehet se mosveprimi i palës së paditur, duke mos ekzekutuar VKM-në përkatëse dhe urdhrin e nxjerrë nga ana e tyre, përbën shkelje ligjore të përcaktuara në ligj.

Avokati i Popullit
Çështja e mosdhënies së parave për vaktin e ushqimit për punonjësit e policisë është ngritur si shqetësim edhe nga Avokati i Popullit. Ky institucion, muaj më parë ka firmosur një rekomandim për Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave, Këshillin e Ministrave që të shlyenin detyrimet e mësipërme, për punonjësit e policisë. Avokati i Popullit, në rekomandimin e tij, thotë se nga verifikimet e bëra në sektorin përkatës të policisë ishte konkluduar se mostrajtimi me një vakt ushqim i punonjësve të policisë të disa strukturave të saj, përbën shkelje të të drejtave që burojnë nga marrëdhëniet e punës dhe të garantuara nga disa akte nënligjore.
“Kjo e drejtë atyre u është shkelur në vazhdimësi për një periudhë kohore prej disa vjetësh, duke u shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar”, thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Në disa raste, punonjës policie, në mënyrë civile kanë hedhur në gjyq Ministrinë e Brendshme për mohimin që u është bërë për këtë të drejtë. Madje, një efektiv në Drejtorinë e Policisë së Kukësit ka fituar këtë të drejtë nga Gjykata e Shkallës së Parë në këtë rreth gjyqësor.
LISTA

Kush përfiton ushqim në polici

Ushqim për Njësinë e Lëvizshme Territoriale të Kufirit dhe Migracionit, Radhimë. Fondi: 18 265 632 lekë, për periudhën korrik 2016 deri dhjetor 2019.

Ushqim për repartin RENEA në Tiranë. Fondi: 20.020.958 lekë, për periudhën 1 korrik deri më 31 dhjetor 2017.

Ushqim për Komisariatin e Policisë NSH, Tiranë. Fondi: 48.462.688 lekë, për periudhën 1 korrik 2016 deri më 31 dhjetor 2018.

Ushqim për Akademinë e Sigurisë. Fondi: 127.980.593 lekë, për periudhën 1 korrik 2016 deri më 31 dhjetor 2018.

Spitalet
Qeveria ka përcaktuar edhe shërbim gatimi dhe shpërndarje për
Qendrën Spitalore Xh.Kongoli Elbasan, për Spitalin ‘Mbretëresha Geraldinë’ në Tiranë, për spitalin rajonal në Durrës dhe Lezhë.

Repartet ushtarake
Ushqime edhe për repartet në Vaqar, Korçë, Gjirokastër, Kukës, Burrel, Tiranë, Zall- Herr, Bunavi, Rinas, Kuçovë, Farkë, Plepa Durrës, Kepi i Palit Durrës, Pashaliman, për repartet 1001, 1002, 1003, 1004, 1020 në Tiranë, Babrru, Zall- Herr 2, Vau Dejës, Poshnjë Berat, Rrapi i Treshit Tiranë, Sauk Tiranë dhe Rrapi Treshit & KDS Tiranë

Burimi: gazeta-shqip.com