Kategoria e Parë, raporti i një dhune të turpshme

Kategoria e Parë, raporti i një dhune të turpshme

0
SHPËRNDAJE

Pamjet e sfidës Korabi-Kastrioti dhe Pogradeci-Luftëtari vetëm me futbollin nuk kanë asnjë lidhje. Skena të një dhune skandaloze dhe të një barbarizmi nga një turmë, pjesë e së cilës janë persona të papërgjegjshëm, që vetëm futbollin nuk mund ta pranojnë si një lojë që duhet të argëtojë. Futbollistë që nuk mund të quhen më të tillë në momentin që kundërshtarin e luftojnë jo me forcën e futbollit por me të dhunës e  grushtit, aq sa për fair-play duket se nuk kanë dëgjuar më parë. Ngjarje të tilla janë të papranueshme për skuadra që kërkojnë të ngjiten në Superiore. Korabi fitoi 1-0 ndaj Kastriotit, por festa e tyre e dhunshme në përfundim të ndeshjes nuk ka asnjë lidhje me futbollin elitar që luhet në Superiore. Luftëtari në krahun tjetër, guxoi të barazonte në Pogradec, dhe për këtë mori si ndëshkim një barbarizëm kolektiv, me lojtarë që ngjitjen e tyre në Superiore e paguajtën me grushta e gjak. Të flasësh për rezultate teknike pas dy sfidave të tilla duket paradoksale.

Korabit dhe Pogradecit, në ditët e fundit I ishte bërë aq shumë reklamë që do të prisnin dy sfida kaq të rëndësishme për fatet e një sezoni në Kategorinë e Parë, por në vend që këto dy ndeshje të dhuronin 90 minuta të jashtëzakonshme futbolli na rezervuan pamje të një kronike të zezë, të një dhune që as forcat e rendit nuk mundën dot ta parandalojnë, dhe madje duke rënë dhe vetë pre e një cmendurie kolektive, që nuk kurseu asnjë kundërshtar, dhe asnjë polic. Ajo që ndodhi dje në Peshkopi dhe Pogradec, ishte thjesht, e turpshme, aq sa I vetmi raportim që mund të bëhet është se para kësaj dhune në këto dy stadiume, ishin luajtur dhe dy ndeshje futbolli.

Burimi: supersport.al