Basha: Votimi elektronik i pret rrugën shitblerjes së votës

Basha: Votimi elektronik i pret rrugën shitblerjes së votës

0
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka hartuar një platformë mbështetur mbi parime dhe mbi zgjidhje europiane të cilat do të mundësojnë që vota e shqiptarëve të mos preket. Kjo platformë, tha Basha në një takim me anëtarë të FRPD-së në Gjirokastër, do të mundësojë sprapsjen dhe çmontimin e një prej problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare që është shitblerja masive e votës.

“Çfarë do të bëjmë për zgjedhjet e ardhshme?! Votimi elektronik, pra me gishtërinj që të mos mbledhin kartat një natë para, të mos kërkojnë fotografi të votës. Çështjen e financimit: kemi një model i cili po të vihet në funksion ligjërisht gjurmon në çdo bankë të Shqipërisë lëvizjen e “cash”-it. Se ju e dini që tre-katër ditë përpara shkojnë e nxjerrin “cash”-in për të blerë vota”, tha Basha.

Në një takim me banorë të Lazaratit, Basha duke iu referuar gjendjes në vend deklaroi se sot shumica dërrmuese e shqiptarëve pa dallime politike besojnë se Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.

“Banda e Edi Ramës është e rrethuar nga një Shqipëri në mjerim sepse mjerim mbollën me taksat e larta, me terrorin, me kërbaçin. Banda e Edi Ramës është e rrethuar nga një popullsi e dëshpëruar sepse dëshpërim mbollën me mbylljen e vendeve të punës, me çmimet e larta dhe faturat aforfe të energjisë elektrike, me taksat e larta. Shumica dërrmuese e shqiptarëve pa dallime politike duan që Edi Rama të largohet një orë e më parë nga pushteti”, deklaroi kreu i opozitës.

Basha u takua dhe bashkëbisedoi dhe me banor të fshatit Valare në zonën e Lunxhërisë. Kreu demokrat ka prezantuar platformën për bujqësinë që parashikon të mbështet me buxhetin më të madh që i është akorduar ndonjëherë prej 150 milionë eurosh. 50 milionë euro do të shkojnë për infrastrukturën bujqësore dhe 100 milionë euro për subvencione direkte për fermerët.

Në takimin me banorë të Libohovës Lulzim Basha prezantoi platformën sociale për t’iu ardhur në ndihmë të më të pamundurve, atyre në ndihmë ekonomike dhe familjeve në nevojë.

“Për çështjen e mbështetjes së invalidëve ne kemi përgatitur një paketë që do të rimbursojë tërësisht çdo medikament dhe do të bëjë të mundur që pagesa e invaliditetit të kthehet thjesht dhe vetëm në një mbështetje për jetën tuaj të përditshme dhe jo për të paguar faturat e majmura të energjisë elektrike apo shpenzime, apo taksa të tjera shtesë të cilat janë vendosur me të padrejtë ndaj kategorisë tuaj”, shtoi Basha.

Burimi: tiranaobserver.al